Ujësjellësi i së ardhmes
Ujësjellësi i së ardhmes: Takim teknik për modernizimin dhe dixhitalizimin e UKT
Drejtori i Përgjithshëm i UKT, z. Skerdi Drenova, zhvilloi sot një takim pune me z. Sameh Wahba, Drejtor Rajonal për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe me ekipin e Bankës Botërore, në kuadër të programit transformues “Utility of the Future”.
Gjatë diskutimit u adresuan drejtimet kryesore për modernizimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në Tiranë, me fokus tek dixhitalizimi i proceseve, përmirësimi i performancës operacionale dhe forcimi i kapaciteteve institucionale të UKT, në përputhje me objektivat e programit.
Në takim u theksua gjithashtu bashkëpunimi i ngushtë me Bankën Botërore për zhvillimin e Strategjisë Kombëtare të Integruar për Higjienizimin dhe Planifikimin e Investimeve, një dokument i rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me Masterplanin Rajonal të Tiranës dhe orienton investimet afatgjata në infrastrukturën e ujit dhe kanalizimeve.
Gjatë prezantimit teknik u nënvizua rëndësia e modernizimit të mëtejshëm të infrastrukturës dhe proceseve operacionale të UKT, si dhe roli që ka dixhitalizimi në rritjen e efikasitetit dhe monitorimin e rrjeteve. Ky drejtim zhvillimi mbështet planifikimin afatgjatë të investimeve dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, në përputhje me standardet që promovon programi “Utility of the Future”.
Ky angazhim i përbashkët midis UKT dhe Bankës Botërore përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve, rritjes së efikasitetit institucional dhe garantimit të një sistemi më të qëndrueshëm, më cilësor dhe të orientuar drejt qytetarëve të Tiranës.