UKT dhe Acquedotto Pugliese

Go to content

UKT dhe Acquedotto Pugliese

UKT dhe Acquedotto Pugliese forcojnë bashkëpunimin teknik me një vizitë tre-ditore studimore në Bari

Ujësjellës Kanalizime Tiranë ndërmori një hap tjetër të rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e furnizimit me ujë. Në kuadër të projektit  CrossWater+, një projekt i financuar nga programi Interreg IPA South Adriatic, një delegacion teknik i UKT-së udhëtoi drejt Barit për një vizitë studimore tre-ditore pranë Acquedotto Pugliese (AQP), Ujësjellësit të Pulias.

Vizita u zhvillua si vazhdimësi e angazhimeve të parashikuara nga Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar ndërmjet UKT dhe AQP, një marrëveshje që synon të thellojë bashkëpunimin teknik dhe frymën e partneritetit të krijuar gjatë fazës së parë të projektit CrossWater+. Delegacioni i UKT-së, i përbërë nga ekspertë të Departamentit Prodhim–Shpërndarje, u mirëprit në Bari nga drejtues të lartë të AQP-së.

Gjatë tre ditëve të punës, delegacioni u njoh me nga afër me mënyrën se si AQP administron një nga sistemet më të mëdha të ujësjellësit në Evropë. Në Control Room, zemra operative e rrjetit, ekspertët e UKT-së ndoqën monitorimin në kohë reale të stacioneve të pompimit, rrjeteve të shpërndarjes dhe sistemeve të telekontrollit. Prezentimet për SCADA, Digital Twin dhe balancën hidraulike hapën një dritare të qartë mbi potencialin e teknologjive të avancuara për menaxhimin modern të shërbimeve ujore.

Vizitat në terren, në impiante dhe stacione pompimi, sollën demonstrime konkrete mbi mënyrën se si AQP përballon sfida të tilla si humbjet në rrjet, optimizimi i presionit dhe integrimi i të dhënave territoriale në platforma dixhitale. Pajisjet e detektimit të humbjeve, teknikat e smart metering dhe zgjidhjet automatike të kontrollit u prezantuan në praktikë, duke ofruar një perspektivë të vlefshme për përmirësimin e proceseve edhe në Tiranë.

Në ditën përmbyllëse, delegacioni vizitoi impiantin e trajtimit të ujit në Sinni dhe impiantin e pastrimit të ujërave në Bari Ovest, duke parë nga afër ciklin e plotë teknologjik të ujitnga burimi deri në trajtimin final.

Kjo vizitë nuk ishte vetëm një shkëmbim i njohurive teknike, por edhe një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e UKT drejt standardeve më të larta europiane në menaxhimin e ujit.

Rruga Konferenca e Pezës, Tiranë
kujdesindajklientit@ukt.al
Back to content